Connect with us

LAJME

Analiza / Nga po rrezikon të goditet LSI-?

Published

on

Analiza nga Lapsi.al

Prej disa ditësh në tregun mediatiko politik po gëlon një thashethemnajë në lidhje me një ftohje të LSI- së më PD-në dhe për një rikthim të mundshëm në gjirin e PS. Kjo hipotezë është përforcuar sa nga gazetarë shumë pranë ish partisë së Ilir Metës, që duan ti bëjnë presion Lulzim Bashës, po aq edhe mnga gazetarë pranë pushtetit, që u intereson diversioni në kampin opozitar.

Ajo është bërë më e besueshme edhe nga një rënie e tempit luftarak të Monika Kryemadhit po ashtu si edhe nga një zbutje e toneve mes presidentit Meta dhe kryeministrit Rama, që kulmuan me deklaratat e këtij të fundit që e falenderoi publikisht kreun e shtetit për mënyrën si ka vepruar me marëveshjen e detit.

I gjithë ky sfond i ditëve të fundit ka bërë që në media të shpërthejnë pandehmat se LSI është zbythur nga frika e arrestimit të zyrtarëve të saj të korruptuar nga një drejtësi gjithnjë e më e kontrolluar nga qeveria. Të tjerë e kanë shpjeguar tërheqjen e partisë së dytë të opozitës me gjuetinë e shtrigave që po i bëhet strukturës së saj kienteliste, që deri më tani jetonte e kacavjerrur pas zyrave të shtetit.

Të tjerë akoma nuk ngurojnë të komentojnë se LSI është një trup politik që vdes, po nuk jetoi në trupin e pushtetin, prandaj ky qe maksimumi që mund të jepte në opozitë.

Natyrisht, përpos thashethemnajsës, nuk ka asgjë konkrete dhe faktike në këto që thuhen. Ato mund të jenë gjeneruar edhe nga një lojë e vogël dhe mesnike e ish partisë së Metës  që shpesh është mësuar të luajë në politikë rolin e dashnores së përdalë që e kërcënon partnerin se do të kthehet në krahët e ish burrit.

Por edhe në qoftë një shantazh meskin edhe në qoftë një shpikje e gazetarëve pranë saj edhe madje, në qoftë vetëm një thashethem i prodhuar në zyrat e propogandës së pushtetit, kjo fjalë që po përhapet me shpejtësi po e godet rëndë formacionin e çorientuar nga rëmbimi i padurueshëm dhe nga heshtja aktuale rrënqethëse e Monika Kryemadhit.

Edhe sikur të jetë thjeshtë një tullumbace propogandistike edhe sikur mos ketë asnjë akt konkret të ndryshimit të kampit, kjo atmosferë po e godet rëndë LSI. Ajo po përforcon idenë e një partie që zvarritet pas pushtetit.

Prandaj edhe nëse nuk ka asgjë të vërtetë në gjithë këtë histori krerët e LSI duhet të dalin dhe të shprehen qartë ndaj këtyre hipotezave. Duke i lënë kështu, në ajër, me taktikën as i pohojmë as i mohojmë, ata vetëm vetëdiskreditohen duke merituar epitetit që Rama u nguli në fushatë : « partia e tepsisë ».

©Lapsi.al

REKLAMË

Na ndiqni në FACEBOOK

ARTIKUJT MË TË LEXUAR

Facebook Auto Publish Powered By : XYZScripts.com