Connect with us

BOTA

Krejt çka dihet deri më tani për bombardimet në Siri (Foto-Video)

Published

on

Forcat amerikane, britanike dhe franceze kanë sulmuar Sirinë të shtunën pas mesnatës, si përgjigje për përdorimin e armëve kimike që la të rarë dhjetëra njerëz javën e kaluar.
Kjo ndërhyje është kundër regjimit të presidentit sirian, Bashar al-Assad.

Presidenti amerikan, Donald Trump ka njoftuar veprimin ushtarak nga Shtëpia e Bardhë.

Kurse kryeministrja britanike, Theresa May dhe presidenti francez, Emmanuel Macron konfirmuan se i dhanë përkrahje Amerikës në këto sulme.

Më shumë se 100 raketa u lëshuan nga anijet dhe avionët e aleatëve, duke goditur tre prej objektivave kryesore nga ku u përdorën armët kimike, transmeton lajmi.net

Sekretari amerikan i mbrojtjes konfirmoi se sulmet për momentin janë ndaluar, por që Trump e la të hapur mundësinë për tjera sulme nëse armët kimike përdoren përsëri.

“Ne jemi të përgatitur për ta vazhduar këtë përgjigje nëse regjimi sirian nuk ndalon përdorimin e armëve kimike”, tha Trump.

Konflikti sirian vë në luftë shumë shtete të mëdha. Rusia dhe Irani që po e ndihmojnë Assadin, kurse në anën tjetër Perëndimi, shtetet arabe dhe Turqia që janë kundër këtij regjimi.

Menjëherë ka reaguar ashpër edhe Rusia, pas bombardimeve.

Ambasadori i Rusisë në SHBA, Anataomi Anton tha se veprimet e tilla do të kenë pasoja.

“Ne jemi duke u kërcënuar. Ne paralajmërojmë se veprimet e tilla nuk do të mbeten pa pasoja”, shkroi ai në rrjetet sociale.

Mediat propagandistike siriane vazhduan ta quajnë këtë sulm si shkelje flagrante të të drejtave ndërkombëtare.

Së paku gjashtë shpërthime të fuqishme u dëgjuan në Damask, ka bërë të ditur një dëshmitar për Reuters.

Kurse të tjerët treguan se ishin goditur pikërisht qendrat nga ku u lëshuan armët kimike.

Një zyrtar i lartë që mbështetë Damaskun ka thënë se qeveria siriane dhe aleatët e saj e kishin ditur për sulmet, dhe u evakuuan një ditë më herët falë paralajmërimeve nga Rusia.

Sulmi amerikan, britanik e francez, është një goditje që Trump e kishte bërë pothuajse një vitë më parë, pikërisht pas përdorimit të armëve kimike.

Bombardimet kanë përfshirë qendrën siriane me zonën më të madhe në Damask ku bëhet zhvillimi, prodhimi dhe testimi i armëve kimike e biologjike. Kurse sulmet tjera kanë goditur edhe Homsin.

Këto sulme rrezikojnë nxitjen e një lufte të re sidomos nëse Rusia, Irani dhe Assadi dëshironë të hakmerren.

Presidenti amerikan pati kritika të ashpra për Rusinë dhe Iraninë që sipas tij po e mbështesin “përbindëshin”, duke aluduar te Bashar al-Assad.

“Për Iraninë dhe Rusinë kam disa pyetje. Çfarë dëshiron një komb që shoqërohet me dikë që shkakton vrasje massive të burrave, grave dhe fëmijëve”, tha Trump.

Por menjëherë, ka reaguar edhe shteti i Iranit. Ata kanë paralajmëruar pasoja për gjithë këtë situatë.

Kurse Franca ka pretenduar se sulmet të cilat janë realizuar, kanë qenë të paralajmëruara nga Rusia.

Ministri francez i mbrojtjes ka thënë se Rusia e ka njoftuar Sirinë më herët për këto sulme.

Ajo që bëhet e ditur dhe është me rëndësi të theksohet, është se sulmi i udhëhequr nga Amerika në Siri ka mbaruar, nëse nuk ka një raund të dytë të sulmeve kimike.

“Nëse nuk ka raund të dytë, mund të konsiderohet si i përfunduar”, tha një zyrtar për Reuters. /Lajmi.net/

Advertisement

Na ndiqni në FACEBOOK

ARTIKUJT MË TË LEXUAR

Facebook Auto Publish Powered By : XYZScripts.com