Muhamedit a.s., thoshte: “Përfito nga pesë gjëra para pesë të tjerave: nga jeta para vdekjes, nga shëndeti para sëmundjes, nga boshllëku para angazhimit, nga rinia para pleqërisë dhe nga pasuria para varfërisë.

Në përditshmërinë e aktivitetit të tij, secili prej nesh është i ftuar të meditojë dhe të reflektojë me veten e tij rreth këtij hadithi të shquar. Nëpërmjet tij, i Dërguari i Allahut, Hz. Muhamedi a.s., na fton të mendojmë dhe të shfrytëzojmë jetën, shëndetin, kohën e lirë, rininë dhe pasurinë, për të dëshmuar cilësi besimi dhe përkushtimi ndaj Zotit, në çdo etapë të jetës tonë.

Në shpjegimin e këtij hadithi, Imam Mennavi, ndër të tjera thekson: “Përfito nga pesë gjëra para pesë të tjerave”, domethënë: veproji pesë gjëra para se të ndodhin pesë të tjera. “nga jeta para vdekjes”, domethënë: përfito nga ato gjëra që do të sjellin dobi pas vdekjes, sepse kush vdes, ndërpritet vepra e tij… “nga shëndeti para sëmundjes”, domethënë: shfrytëzo punën në gjendje shëndeti… “nga boshllëku para angazhimit”, domethënë: shfrytëzo kohën e lirë në këtë botë, përpara se të angazhohesh me hallet e jetës së përtejme… “nga rinia para pleqërisë”, domethënë: shfrytëzo shfaqjen e nënshtrimit ndaj Zotit në gjendje aftësie, para se të sulmohesh nga mosha e thyer dhe të pendohesh për atë që ke lënë pa bërë në hak të Allahut. Dhe, “nga pasuria para varfërisë”, domethënë: shfrytëzo dhënien e sadakasë nga pasuria jote, përpara se të vijë një gjendje varfërie…

Nga: Muhamed Sytari

Burimi: http://www.dritaislame.al/perfito-nga-pese-gjera-para-pese-te-tjerave/