Connect with us

OP / ED

Kudsi, kryeqytet i kujt duhet të jetë!

Published

on

(Vazhdim i reagimit tim ndaj shkrimit të Bardhyl Mahmutit me titull “Jerusalemi si kryeqytet i Izraelit…”. Edhe pse debati mes nesh devijoi në masë, sa për shkak të reagimit tim në fillim, sa për shkak të interesimit të Bardhyl Mahmutit të merret edhe me tema tjera, personalisht ndjejë se do t’i mbetem borxh lexuesve nëse nuk e përfundoj mendimin tim rreth Kudsit, Jerusalemi)

Shkruan: Dr.Mustafa Bajrami

Solidarizimi i shqiptarëve në përmasa kombëtare me Muhamed Salah, lojtarin mysliman të Liverpulit i cili pësoi keq nga një lëndim i qëllimshëm që ia bëri lojtari kundërshtar i Real Madridit, përveç që tregoi anën solidare të sportit, ky solidarizim qiti në pah diçka shumë të rëndësishme; tregoi haptazi përkatësinë islame të shqiptarëve.

Edhe pse shqiptarët në shumicë nuk janë praktikantë të rregullt të Islamit, Islami vazhdon të flejë i qetë në zemrat e tyre. Edhe pse shqiptarët kohëve të fundit nuk patën rastin të dëgjojnë lajme të mira nga bota islame që të krenohen me te, mjafton një ngjarje si kjo e Muhamed Salah që t’i ndezë shkëndijat e fesë që janë të fjetura në zemrat e tyre.

Askush nuk mund ta mohojë faktin se ndjenja dhe përkatësia fetare shprehet edhe kësisoj, dhe, jo gjithherë ka nevojë për trumbetime për të treguar nëse shqiptarët janë apo nuk janë myslimanë.

Me gjithë këtë, shqiptarët si myslimanë shumicë që janë, ata kurrë nuk mund t’i harrojnë mirësitë e Amerikës dhe të shteteve tjera me popullatë shumicë krishtere. Amerika është ajo që na shpëtoi në luftën e fundit. Amerika është ajo që nxiti botën demokratike të rreshtohet krah saj për të na shpëtuar nga serbet fashistë që kishin vendosur të na hidhnin në det të gjallë. Gjithsesi, me gjithë vërejtjet që mund të jepen ndaj politikës së jashtme amerikane karshi vendeve islame dhe Lindjes së Mesme, Amerika është shpëtimtarja kryesore e Kosovës dhe e popullit të saj, pas Zotit të Madhërishëm. I jemi mirënjohës Amerikës sa të jemi gjallë.

E përmenda storien e lartshënuar për Muhamed Salah me një qëllim të caktuar. Sot SHBA-të, sikur deri dje Anglia janë shteti më i involvuar në Lindje të Mesme. Amerika është kontrollorja kryesore e Lindjes së Mesme, nëse jo e vetmja. Amerika është shteti i parë në botë që barti ambasadën e saj prej Telavivi në Kudsi Sherif. Dhe po kjo Amerikë, siç thashë më lartë, është shpëtimtarja e Kosovës. Në raste si ky është vështirë të jesh objektiv dhe i njëjtë në qasje ndaj politikës së saj si në Kosovë si në Palestinë e në Lindje të Mesme. Prandaj, larg gjuhës politike që shumë herë di të jetë kameleone, unë, në rreshtat në vijim do të mundohem t’i përmbahem fakteve të nevojshme historike, fetare e shkencore mbi Jerusalemin, jo politikave ndërkombëtare që veprojnë gjithandej në Lindje të Mesme. Përndryshe, përse do të duhej të kyçesha në debatin për Jerusalemin që e nisi i pari Bardhyl Mahmuti.

Po filloj nga e mbara.

Kur Gandi kishte deklaruar se: ”Mund të them pa hezitimin më të vogël dhe me përulësinë më të madhe se, ata që thonë se feja nuk ka të bëjë me politikën, nuk e dinë se çka është feja”, ai e kishte parasysh edhe komunizmin anti-fetarë që po i trokiste në dyert e shtëpisë së kombit të tij. Sikur që, edhe komunizmi e kishte parasysh këtë mendim të Gandit që donte t’ia rrëmbente atdheun atij. Komunizmi e përmbysi fenë dhe nuk e përdori si ndihmesë në politikën e tij, siç kishte bërë Gandi dhe shumë liderë të suksesshëm në botë. Komunizmi e luftoi fenë, i vrau njerëzit e fesë dhe ashtu të vrarë i uzurpoi për t’i nëpërkëmbur si është më ë keqi. Nuk ka dyshim se ato kombe që kanë arrit nivel të rëndësishëm historik, epoka e lulëzimit të jetës së atij kombi përputhet me zhvillimin e lartë të ndërgjegjes së tyre edhe fetare, ndërsa periudha e rënies së madhështisë dhe të fuqisë përputhet po ashtu me rënien e jetës kulturore dhe fetare. Dhe, për ta përmbyllur fjalën time të hyrjes në këtë shkrim, dua të shtoj edhe një fakt të pamohueshëm. Revoltat e vitit 1997 në Shqipëri që kishin eskaluar deri në përmasa të shkatërrimit të tmerrshëm e total të shtetit shqiptar, unë nuk i shoh të kenë qenë vetëm rezultat i revoltës popullore ndaj gjendjes së rëndë ekonomike dhe politike, por, ishin edhe reflektim i një katandisje të një shoqërie pa fe. Aty më s’pati kush tu thoshte njerëzve t’i frikohen Zotit e ta ruajnë vendin për hir të Zotit dhe për hir të gjeneratave që vijnë. Prandaj unë mbështes politikën e brendshme të tanishme të Turqisë, e cila, për dallim nga e kaluara e saj kur feja shtypej me thundër të çeliktë, atje sot mbrohet dhe lirshëm praktikohet feja, praktikohen Islami i nevojshëm, ky Islam që sot dikush në trojet tona e quan Islami tradicional.

Së këndejmi, feja është një shkollë e madhe. Është e madhe për ta bërë njeriun njeri të madh dhe për ta ruajtur me xhelozinë më të madhe atë që është e madhe për njeriun.

E, pra, as Kudsi Sherifi nuk mund të shpjegohet pa pasur përsyshë rolin e fesë. Kudsi nuk mund të kuptohet pa fenë, sepse është vend i feve. Dhe, kur me fenë islame administrohej Jerusalemi, në Jerusalem në kishte luftë, nuk kishte vrasje e as dëbime të njerëzve gjithandej.

Sido që të jetë, Kudsi Sherifi nuk është qytet sikur gjithë qytetet, por as lufta palestinezo-izraelite sikur të gjitha luftërat. Gjeografia dhe historia e asaj pjese të botës ka bërë që konfliktet atje të mos jenë sikur të gjitha konfliktet.

Lufta në Palestinë i tejkalon përmasat e një lufte territoriale. Ajo luftë është më e madhe se kaq. Është konflikt kulturash, logjikash e civilizimesh. Është beteja për Jerusalemin, beteja për supremaci botërore.

Të shohim tani se çka është Jerusalemi për tri fetë monoteiste.

Jerusalemi për hebrenjtë është diçka tepër jetike, është simboli i të kaluarës së tyre nacionale. Është tërësia e historisë dhe garanca e të qenurit të tyre “populli i zgjedhur i Zotit”. Shumë kohë më parë Jerusalemi ishte kryeqyteti i mbretërisë hebreje në Palestinë. Kur romakët pushtuan Lindjen e Mesme dy mijë vjet më parë, hebrenjtë e humbën atë mbretëri. Arritën ta ringjallin si shtet vetëm në vitin 1948. Atëherë kur përgjatë kohës sa ishin mbretëri, hebrenjtë luftuan shpesh kundër popujve dhe fiseve përreth. Kur i pushtonin tokat tjera, i shkatërronin tërësisht, i djegin dhe i vrisnin burrat, gratë dhe fëmijët e tyre. Siç shkruan Muhamed Asad, një mendimtar polak me prejardhje çifute që më vonë e pranon Islamin, hebrenjtë i vrisnin edhe gjedhët, delet dhe gomarët e të pushtuarve. Sipas mësimeve të hahamëve çifutë të cilët promovuan idenë se janë populli i zgjedhur i Zotit, bota mbarë duhet shikuar vetëm nga prizmi i “popullit të zgjedhur të Zotit”. Sipas tyre, bota është ashtu siç është në raport me hebrenjtë dhe me Izraelin. Ata mendojnë se edhe Bibla (Dhjata e Vjetër në formën që ka sot), nuk është gjë tjetër pos histori dhe udhëzim për vetëm izraelitët. Ky botëkuptim biblik i tyre, Jerusalemin e sheh qytet vetëm i bijve të Izraelit. Me fjalë të tjera, ky shpjegim kësisoj nuk është vetëm tendencë fetare, por, më tepër se kaq, është produkt i një kujtese të veçantë historike, e për rrjedhojë, geniusi i vetë-kënaqësisë hebraike.

Në anën tjetër, për të krishterët Jerusalemi ka domethënie religjioze më shumë se sa vetëm historike. Pavarësisht se çka shkruhet në Dhjatën e Vjetër hebreje, Jerusalemi për të krishterët është i një rëndësie të veçantë fetare. Është vendi ku Jezu Krishti kishte filluar misionin e tij dhe ku ishte kryqëzuar e varrosur. Edhe pse deri në një masë edhe të krishterët e shikojnë Jeruzalemin me sy të historisë, meqë ngjarjet historike kanë frymë edhe shpirtërore, pra, jo vetëm racore apo kombëtare, Jerusalemi për të krishterët nuk është “trashëgimi historike hebreje”, por, diçka i shenjtë, vend pelegrinazhi për të gjithë krishterët. Dhe, për shkak të rrethanave politike të kohëve të fundit, Jerusalemi për ta është vend për t’u adhuruar edhe nga distanca.

Kështu, në fund të shekullit njëmbëdhjetë kombet e krishtera organizuan luftërat e kryqëzatave me qëllim të merrnin Tokën e Shenjtë (Jerusalemin) nga duart e njerëzve që, sipas tyre, ishin pushtues të atij qyteti. Që nga ajo kohë, nuk ka asnjë i krishterë i krishterë edhe me fe, jo vetëm me emër, që thotë se Jerusalemi është qytet vetëm historik, politik apo kulturorë. Ai, mbi të gjitha është qytet i shenjt i të krishterëve dhe si i tillë, thonë ata, duhet të mbetet e të mbrohet përgjithmonë.

Për dallim nga të krishterët dhe hebrenjtë, vizioni mysliman për Jerusalemin është më gjithëpërfshirës. Është historik, fetar dhe ideologjik në të njëjtën kohë. Fetar, sepse lidhet me ngjarje të rëndësishme të fesë islame.

Ideologjik sepse ai vizion i tyre është i bazuar në Kur’an, e historik , sepse Kudsi është vazhdimësia e praktikës fetare e cila nëpër të shekuj jetësohej nëpërmes së pejgambereve. Sipas doktrinës islame, Kudsi është argument i rëndësishëm që provon se profetët kryesorë jetuan dhe vdiqën në Palestinë, e pika më e rëndësishme e Palestinës është pikërisht Kudsi Sherifi. Myslimanët nuk e admirojnë Kudsin vetëm pse Muhamedi a.s. kishte shkuar andej, siç bëjnë hebrenjtë për shkak të Musait a.s. dhe të krishterët për shkak të Isait a.s që ishte kryqëzuar aty. Myslimanët nuk bëjnë dallime mes profetëve, e as lidhen me ndonjë emër për shkak të përkatësisë racore e kombëtare. Për myslimanët me rëndësi është fryma universale e fesë së tyre, është tejkufishmëria e normave fetare islame, sikur që është me rëndësi dhe refleksioni religjioz i një emri apo vendi të caktuar. Kurani thotë: “Pafundësisht në madhështinë e Tij është Ai që barti robin e Tij (Muhammedin) në një pjesë të natës prej Mesxhidi Haramit (Qabja në Mekë) deri në Mesxhidi Aksa (në Kudsi Sherif), të cilët (vende) Ne i kemi bekuar…” (el-Isra, 1)
Përshkrimi që i bënë Kur’ani Muhamedit a.s. se është i urtë dhe me përvojë mistike, nxirret pikërisht nga ngjarja që lidhet me Kudsi Sherifin. “Udhëtimi i Natës” prej Mekës në Kuds (Isra) e prej andej kah qielli i hapur (Mi’raxh) shpreh lidhjen astrologjike të profetit Muhamed me gjithë profetëve të tjerë para tij. Shtëpia e Adhurimit, Bejtul Makdes siç e quajnë edhe të krishterët, që më vonë do të quhet Mesxhid el-Aksa, është Tempulli i Sulejmanit, ose, më saktësisht, vendbanimi i Sulejmanit a.s. në Jerusalem. Përderisa çifutët në Sulejmanin nuk shohin gjë tjetër përveç një mbreti hebre që ishte i suksesshëm dhe i lavdishëm, për myslimanët ai ishte një profet i njohur po aq sa ishte edhe babai i tij, Davudi a.s. Sipas mësimeve të fesë islame, zinxhiri i profetëve me prejardhje hebreje fillon me Ibrahimin a.s. dhe mbaron me Isanë. Islami na mëson se të gjithë profetët janë të njëjtë dhe se nuk ka dallime racore mes tyre. Andaj, sipas doktrinës islame, edhe pse këta profetë që jetuan në Kuds nuk ishin me prejardhje arabe, për arabët myslimanë ata janë më të dashur se shumë emra të tjerë arabë që nuk i takonin fesë islame. Shkuarja e Muhamedit në Kuds e nga andej në qiell, përveç që ka domethënien e daljes për një moment nga hemisfera njerëzore dhe kthimi i shpejt në te, ka edhe një domethënie të madhe universale. Nisur nga këtu, edhe pse Muhamedi as. mund të qëndronte në qiell i paprekur nga problemet që e ndiqnin në tokë, ai luti Zotin e tij të kthehej dhe të vazhdonte misionin e tij që e kishte marrë mbi supe. Dhe, më tepër se kaq, përderisa përmendëm universalitetin e fesë islame, për shkak se këta profetë hebrenjë me prejardhje që ishin nga Jerusalemi dhe për shkak se Muhamedi a.s. arab ishte nga Meka e Arabisë, Zoti në Kur’an, pa bërë dallime regjionale e as racore, i begatoi të dyja ato vende; Mesxhidu’l-Aksanë në Kudsi Sherif dhe Qaben në Mekën e Arabisë .

Nisur nga këtu, botëkuptimi i myslimanëve për Jerusalemin ndryshon thellë nga botëkuptimi i krishterë, e sidomos nga pikëpamja hebreje. Përderisa në të drejtën juridike fetare hebreje Jerusalemi është zemra e historisë së popullit izraelit, për myslimanin është vend-bashkimi i pejgambereve, pa dallim etnie. Përderisa hebrenjtë mendojnë se, meqë Sylejmani a.s. me prejardhje çifute kishte jetuar në “Tempullin i Shenjtë” në Jerusalem, andaj Jerusalemi është vend i tyre, myslimanët mendojnë se pikërisht për shkak se Sylejmani i takonte fesë islame, Jerusalemi nuk mund të jetë vetëm i çifutëve. Myslimanët, feja e të cilëve i tejkalon por nuk i mohon kufijtë e etnive dhe të popujve, Sulejmanin e njohin dhe e respektojnë vetëm si profet i Zotit. Gjithashtu, edhe pse të paktën gjysma e fiseve arabe ku në mesin e tyre edhe fisi i Muhamedit (Kurejsh) janë pasardhës të Ibrahimit a.s., asnjë arab nuk e shikon Ibrahimin nga këndvështrimi racorë. Ibrahmi a.s. për arabët dhe për të gjithë myslimanët ka sfond fetar. Në traditën islame, pra, Ibrahimi a.s. është njëri prej pesë pejgambereve më të njohur, i cili i ishte përkushtuar deri në maksimum të mirës së përgjithshme.

Duke i marrë parasysh të gjitha këto, nuk është e vështirë të kuptohet pse Muhammedi a.s në vitet e para të thirrjes së tij ishte kthye kah Jerusalemi për namaz. Për të, sikur edhe për myslimanët, Jerusalemi ishte vend i shenjtë dhe kibla e parë e tyre. I tillë mbeti deri sa Kur’ani i urdhëroi myslimanët që në namaz të ktheheshin kah Qabja, jo më kah Kudsi Sherifi. Nga Kur’ani mësojmë se udhëtimi i asaj nate Muhamedit a.s. kah qiejt e hapur, është një pikënisje e një përvoje shpirtërore tepër e rëndësishme. Takimi i tij në qiell me profetët tjerë ishte mesazhi më kuptimplotë se ai nuk është i pari profet i Islamit, por i fundit në zinxhirin e profetëve që tregojnë vazhdimësinë e fesë së Allahut. Ky mesazh i dalë nga ky rrugëtim i profetit, është argument gjithashtu edhe i asaj se feja islame nuk është feja më e re monoteiste, por është e njëjta ajo që kishte filluar me njeriun e parë, Ademin a.s.

Së këndejmi, nuk është për t’u habitur me faktin që kur arabët hynë në Jerusalem në shekullin e shtatë, si myslimanë që ishin, qytetin e trajtuan me respektin që i kishte hije frymës së fesë të cilën po e përhapnin. Është mase e sigurt që kur myslimanët hynë në Jerusalem, aty nuk gjetën asnjë hebre. Hebrenjtë e fundit ishin dëbuan nga romakët kur ata kishin pushtuar Jerusalemin 2 mijë më parë. Gjithashtu, kur myslimanët hynë aty, ata nuk vepruan me të krishterët sikur romakët që kishin bërë me hebrenjtë. Myslimanët i garantuan të krishterët autokton se do t’i lënë plotësisht të lirë t’i kryejnë ritualet e tyre, do t’ua sigurojnë jetën dhe pasuritë e tyre si dhe askush nuk do t’i prekë apo dëmtojë tempujt e tyre. Në ditët e para të hyrjes në Kuds, myslimanët lidhën kontratë me të krishterët se do t’i respektojnë të drejtat e tyre deri në detajet më të imëta.

Nëse deri më tani shkruam se përse Islami e trajton Jerusalemin kështu, tani është e udhës të shohim se përse Islami ka kësisoj tretmani ndaj pjesëtarëve të feve tjera.

Kurani flet në mënyrë të qartë për lirinë e përcaktimit dhe të besimit. Sipas Islamit njeriu është i lirë të besojë si të dojë dhe kujt të dojë. (E fe ente tukrihu-nase hatta jekunu mu’minin?). Kur’ani asnjëherë nuk i detyron njerëzit që të gjithë të jenë besimtarë. Besimin dhe mosbesimin e ka lënë çështje të lirë në duart e tyre dhe të zgjedhin çka të dojnë.

“Fe men shae fel-ju’min ve men shae fe’l-jekfur” (Kush dëshiron të besojë, le të besojë, e kush dëshiron të mos besojë, le të mos besojë). Kurani vepron kështu sepse e gjithë kjo është në përputhshmëri me natyrën e njeriut, në përputhshmëri me qëllimin e ekzistimit të tij si dhe në përputhshmëri me natyrën e jetës në tokë. Ndryshe nga kjo, njeriu s’do të ishte njeriu që do të ngarkohet me misionin e tij në tokë. Pluralizmi në besim, në kuptimin e jetës, në mendime, në dëshira, në lloje, në popuj e në pikëpamje të ndryshme është esenca e natyrës së kësaj bote. (VAZHDON NESËR)

REKLAMË

PARTNER MEDIAL

Na ndiqni në FACEBOOK

ARTIKUJT MË TË LEXUAR

Facebook Auto Publish Powered By : XYZScripts.com