Me ftesë të kryeministrit Zoran Zaev, të hënën në orën 9 të mëngjesit do të mbahet takimi i radhës mes të parëve të VMRO-së, BDI-së dhe Besës opozitare, Hristijan Mickovski, Ali Ahmeti dhe Bilall Kasami, shkruan Fokus.mk, përcjell Portalb.mk.

Kjo do të jetë një mundësi e re që të arrihet një gjuhë e përbashkët rreth referendumit i cili do të mbahet për marrëveshjen për emrin me Greqinë, si dhe për disa vendime ligjore lidhur me procesin zgjedhor dhe çështje tjera.

Nga LSDM insistojnë që VMRO të mos e bojkotojë referendumin, deri sa partia opozitare po vendos disa kushte para se të formohet Komisioni shtetëror zgjedhor, siç është formimi i qeverisë së re teknike para zgjedhjeve dhe ndryshimi i modelit të financimit.

Opozita në tavolinë ka vendosur edhe temën e amnistisë jozyrtare të të akuzuarve të PSP-së, duke kërkuar intervenim kë kodin penal, ndërkaq pozita në mënyrë kategorike kundërshton këtë.

Dhe një nga kushtet e BE-së për fillimin e negociatave me Maqedoninë ishte që në mënyrë efikase të përfundojnë proceset gjyqësore të funksionarëve të lartë të pushtetit të kaluar.