Connect with us

SPORT

Zyrtare: Cristiano Ronaldo transferohet te Juventusi

Published

on

Cristiano Ronaldo është zyrtarisht një futbollist i Juventusit, duke bërë që të mbyllet kështu një nga transferimet më të bujshme të botës së futbollit.

Lajmi është bërë i ditur nga klubi i Realit të Madridit, që nëpërmjet një komunikate zyrtare ka njoftuar se ka pranuar ofertën prej 105 milionë eurosh të Juventusit, duke respektuar edhe dëshirën e lojtarit.

Marrëveshja mes bardhezinjve dhe Ronaldos është vulosur mesditën e sotme në Greqi, ku presidenti Agnelli udhëtoi me avion privat dhe drekoi me portugezin.

I shtyrë nga pakënaqësitë me drejtuesit dhe oferta e majme financiare, Ronaldo vendos kështu të provojë një aventurë të re në Itali. Më kot u tentua në orët e fundit një telefonatë mes trajnerit Lopetegui dhe lojtarit portugez, që ritheksoi dëshirën për t’u larguar nga Reali, madje pa asnjë ceremoni lamtumire.

Komunikata e Realit të Madridit, që njofton transferimin e Ronaldos te Juventusi:
Real Madrid C. F. njofton se, sipas vullnetit dhe kërkesës së shprehur nga lojtari Cristiano Ronaldo, ka rënë dakord ta transferojë atë te Juventus F. C.

Sot Real Madrid dëshiron të shprehë mirënjohjen e tij për një lojtar që ka dëshmuar të jetë më i miri në botë dhe që ka shënuar një nga kohët më të shkëlqyera në historinë e klubit tonë dhe futbollit botëror.

Përtej titujve dhe triumfeve të arritura në fushat e lojës gjatë këtyre 9 viteve, Cristiano Ronaldo ka qenë një shembull i përkushtimit, punës, përgjegjësisë, talentit dhe përmirësimit, në klubin tone.

Ai gjithashtu është bërë golashënuesi më i mirë në historinë e Real Madridit me 451 gola në 438 ndeshje. Gjithsej 16 tituj, duke përfshirë 4 Kupat Evropiane, 3 prej tyre me radhë dhe 4 në 5 sezonet e fundit. Në baza individuale, me fanellën e Real Madridit ai ka fituar 4 Topa të Artë dhe 3 Këpucë të Arta, midis shumë çmimeve të tjera.

Për Real Madridin Cristiano Ronaldo gjithmonë do të jetë një nga simbolet e tij të mëdha dhe një referencë unike për gjeneratat e ardhshme.
Real Madridi do të jetë gjithmonë shtëpia juaj.

REKLAMË

Na ndiqni në FACEBOOK

ARTIKUJT MË TË LEXUAR

Facebook Auto Publish Powered By : XYZScripts.com