Connect with us

KOSOVË

Po formimit të ushtrisë, por vetëm me përkrahje të ndërkombëtarëve

Published

on

Pasi Qeveria e Kosovës e votoi dje projektligjin për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri, pritet që i njëjti të arrijë për votim në Kuvendin e Kosovës. Deputetët po shprehen të gatshëm të votojnë për këtë projektligj në mënyrë që Kosova ta ketë ushtrinë e saj.

Megjithatë, thonë se ende nuk e kanë parë projektligjin, dhe se të njëjtin do ta shqyrtojnë dhe nëse është i duhuri do ta mbështesin. Ndërkohë edhe nga ambasada amerikane në Kosovë kanë deklaruar se  do t’i analizojnë projektligjet, meqë nuk janë konsultuar sa i përket vendimit për miratimin e pakos së projektligjeve për transformimin e FSK-së.

Qeveria e drejtuar nga Ramush Haradinaj ka votuar dje projektligjin për shndërrimin e FSK-së në ushtri.

Propozimi u bë nga ministri i FSK-së Rrustem Berisha, për ndryshimin e tri ligjeve.

Kështu, me këto projektligji, Ministria e FSK-së shndërrohet në ministri të Mbrojtjes dhe FSK merr detyra të reja si ushtri.

Partitë politike në Kosovë thonë se është koha që Kosova të ketë ushtrinë, dhe se janë të gatshëm të japin përkrahjen e tyre.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, ani pse skeptik që kjo çështje do të finalizohet ashtu siç po thuhet, tregon për KosovaPress se bashkëpartiakët e tij do përkrahin secilin ndryshim kushtetues që shndërron FSK-në në ushtri.

“Ne kemi përkrahur sa herë ka pas iniciativa, por një gjë mos të harrojmë, deri më sot, qe katër vite që përmendet dhe që endet kjo çështje herë në qeveri e herë në zyre të tjera, akoma nuk ka ardh një herë në seancë për ta votuar. E konfirmojmë edhe një herë që ne mbështesim cilindo ndryshim kushtetues që shndërron FSK-në në ushtri, po ashtu, mbështesim avancimet ligjore që i japin kompetenca ushtarake FSK-së dhe këtë e dinë edhe vet sponsorizuesit….Nëse ata e kanë përnjëmend ne do ta votojmë e do ta mbështesim. Por gjithmonë, jo çfarëdo ligji, jo çfarëdo ndryshimi dhe jo siç ka pas tentuar Thaçi në të kaluarën që ligjin për FSK-në ta shfrytëzoj për qëllime të tjera, nëse ju kujtohet referuar në rastin konkret, para dy –tre vitesh ka pas nisë një iniciativë e tillë. Unë kam drojë që këta do t’i shkojnë deri në fund, por nëse e kanë përnjëmend neve aty na gjejnë”, ka thënë Selim i përmes telefonit.

Ndërsa në Lidhjen Demokratike të Kosovës thonë se do të shqyrtojnë dokumentet dhe do të konsultohen me faktorin ndërkombëtar para se të marrin ndonjë vendim.

Dpeutetja Besa Gaxherri thotë se është koha që Kosova të ketë ushtrinë dhe se LDK është e gatshme që vendi të ketë ushtri.

“Asgjë nuk do të votohet nga LDK pa u shqyrtua. Do të jemi shumë të gatshëm që vendi të ketë ushtri por gjithmonë të koordinuar me NATO-n në radhë të parë, dhe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Koha është për një veprim të tillë, duhet të shohim a mundemi me ec tutje, dhe duhet t’i shohim ligjet, çfarë kërkohet në ato ligje. Ne kemi pas shumë kërkesa, shumë ligje, që të shfuqizohen ose të aprovohen, por LDK nuk e ka bërë një veprim të tillë. Në këtë rast duhet t’i shohim ligjet në rend të parë dhe natyrisht të kemi takim me faktorin ndërkombëtar për këtë çështje”, thotë ajo.

Sipas Gaxherrit, presidenti Thaçi është ai që për dy vjet e ka shtyrë  çështjen e ushtrisë duke bërë kështu veprime të gabuara.

Ndërkohë në Partinë Socialdemokrate thonë se transformimi i FSK-së në ushtri është domosdoshmëri dhe duhet të ndodh sa më shpejt, por duhet shikuar mënyra se si të bëhet kjo.

Sipas Sejdiut, duhet vazhduar tutje duke mos shikuar që me çdo kusht të merret përkrahje e Serbisë.

“Unë projektligjin nuk e kam parë, por në parim ne përkrahim transformimin e FSK-së në ushtri. Është edhe domosdoshmëri e sigurisë por edhe një hap tutje për konsolidimin e sigurisë në Republikën e Kosovës. Mendoj që ushtria e Kosovës përveç se nuk duhej të zhagitej deri tash, gjithashtu duhet të ndërtohet mbi shtylla të mira kushtetuese e ligjore. Pra nuk duhet të bëjmë as gabim në hapa as nuk duhet të sigurohemi e të mundohemi që me çdo kusht, në çdo rrethanë që gjithsesi të kemi përkrahjen e dikujt që nuk është i interesuar të përkrah. Nëse presim një amin nga Serbia nuk do ta kemi atë”, thotë ai.

Sejdiu tha se duhet angazhuar Kuvendi dhe qeveria që transformimi të bëhet sa më parë dhe në mënyrën më të mirë.

Ndërkohë, presidenti i vendit, Hashim Thaçi, dje pasi deklaroi se procedimi i këtij projektligji u bë në një kohë jo të duhur, tha pastaj se është pro transformimit të FSK-së në Forca të Armatosura.

“Dua t’ua largoj çdo dilemë: jam pro transformimit të Forcës së Sigurisë në Forca të Armatosura të Kosovës. Ushtria e Kosovës nuk është kërcënim për rajonin. Përkundrazi, do të jetë në shërbim të ruajtjes së paqes, sigurisë shtetërore, rajonale dhe globale. Prandaj, në këtë pikë, institucionet e Kosovës flasin me një zë dhe kemi një qëndrim. Ligji i miratuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës duhet të procedohet edhe në Kuvend dhe periudha deri në miratimin e tij duhet të shfrytëzohet nga të gjithë ne për t’i bindur skeptikët e mbetur të këtij procesi. Jam i bindur se në koordinim të plotë me SHBA-në dhe aleatët tanë në NATO do ta përmbyllim këtë proces të vonuar, por jetik për Kosovën”, ka shkruar Thaçi dje në Facebook.

E nga ambasada amerikane është se do të analizojnë projektligjet, për të kuptuar qëllimin dhe efektin e tyre.

“Shtetet e Bashkuara gjithmonë kanë mbështetur të drejtën sovrane të Kosovës për një ushtri dhe kanë punuar ngushtë me Kosovën se si ta arrijnë këtë. Ne kemi këshilluar një qasje të matur që e mban Kosovën në sinkron me aleatët tanë të NATO-s në këtë hap të rëndësishëm. Ne nuk u konsultuam në kohën e këtij njoftimi dhe do të duhet të analizojmë projektligjet për të kuptuar qëllimin dhe efektin e tyre”, thuhet në njoftimin e Ambasadës amerikane”, thuhet në njoftimin e Ambasadës Amerikane.

Ndërsa shefi i ekzekutivit kosovar, Ramush Haradinaj tha se veprimi i Qeverisë është ligjor dhe në bazë të kompetencave që ka.

“Ne mundemi me spekulu shumë, por iu siguroj qe ne nuk i bëjmë këto veprime pa kalkulime të gjitha aspekteve të nevojshme. Kosova nuk mund të vazhdojë tutje pa marr përgjegjësinë e vet, dhe sot i ka marr Qeveria e vendit, Parlamenti është i radhës. I ftoj të gjithë ta votojnë, pozitë e opozita, gjitha komunitetet është në të mirën e Kosovës”, ka thënë Haradinaj dje pas mbledhjes së Qeverisë.

Qeveria e Kosovës dje ka miratuar pakon e projektligjeve që rregullojnë rolin, funksionin dhe shërbimin në Forcën e Sigurisë së Kosovës. Kjo pako përfshin projektligjin për Forcën e Sigurisë së Kosovës, projektligjin për shërbimin në Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe projektligjin për Ministrinë e Mbrojtjes.

Përderisa FSK është kategori kushtetuese atëherë ndryshimi mund të bëhet vetëm me Kushtetutë. Për të ndryshuar Kushtetutën duhet dy të tretat e deputetëve e po ashtu edhe dy të tretat e deputetëve nga komuniteti serb.

.

Burimi i lajmit

REKLAMË

Na ndiqni në FACEBOOK

ARTIKUJT MË TË LEXUAR

Facebook Auto Publish Powered By : XYZScripts.com