Connect with us

BOTA

Uragani “përbindësh”, guvernatori i Floridës: Dëme të pabesueshme

Published

on

Guvernatori i Floridës, Rick Scott deklaroi se uragani “Michael” ka shkaktuar dëme të pabesueshme në këtë shtet. Më se 2.000 forca të Gardës Kombëtare po kërkojnë për viktima apo të mbijetuar, pas kalimit të uraganit të kategorisë së 4-t, që tashmë është reduktuar në një stuhi tropikale.

“Shumë jetë njerëzish mund të jenë ndryshuar përgjithmonë nga ky moment. Jashtëzakonisht shumë familje kanë humbur gjithçka”, tha ai.

Përgjatë natës, Rojet Bregdetare kanë zhvilluar 10 misione, gjatë të cilave kanë shpëtuar të paktën 27 njerëz. Të paktën 6 viktima dihen deri tani, në tri shtetet ku kaloi “Michael”; 4 në Florida, një në Georgia dhe një në Karolinën e Veriut.

Në brigjet e oqeanit ka lagje, ku shtëpi të tëra janë rrafshuar nga erërat e tij. Shqetësimi i forcave të shpëtimit janë banorët që mund të kenë mbetur të bllokuar nëpër shtëpi.

Mbi 900 mijë banesa dhe biznese kanë mbetur pa energji elektrike. Më shumë se 370 mijë njerëz në Florida u urdhëruan të evakuoheshin, por zyrtarët besojnë se shumë vetë e injoruan paralajmërimin.

Zona më e goditur është Mexico Beach, të cilën kreu i Agjencisë Federale të Menaxhimit të Emergjencave, Brock Long e ka quajtur “niveli zero” për shkak të përmasave të shkatërrimit. 20 të mbijetuar u gjetën atje përgjatë natës, por 285 banorë kishin refuzuar të evakuoheshin.

Guvernatori Scott nxiti banorët të mos riktheheshin në shtëpitë e tyre, derisa autoritetet “të jepnin garanci se jeta e tyre do të ishte e siguritë”, duke pasur parasysh rrezikun që u kanoset prej linjave të dëmtuara të energjisë elektrike apo rrënojave të tjera.

“Michael” kishte shkaktuar vdekjen e të paktën 13 personave të tjerë përpara se të prekte Floridën, kur kishte kaluar përmes vendeve të Amerikës Qendrore; 6 prej të cilëve në Honduras, 4 në Nikaragua dhe 3 në El Salvador.


Top Channel

Burimi i lajmit

REKLAMË

Na ndiqni në FACEBOOK

ARTIKUJT MË TË LEXUAR

Facebook Auto Publish Powered By : XYZScripts.com