Connect with us

LAJME

Vazhdon “baby boom” me të tretin, kryesojnë shqiptarët në Maqedoni

Published

on

Numri i fëmijëve të lindur si të tretë me radhë në familje ka pësuar rritje. Vetëm gjatë vitit të kaluar, shifrat kanë arritur në rreth 26.700 fëmijë, të cilët përfitojnë një shumë mujore (8250 denarë), që do të thotë mbi 2800 fëmijë më shumë sesa një vit më parë, shkruan gazeta KOHA.

Sipas të dhënave më të fundit zyrtare, zonat me boom-in më të madh sa i takon lindjes së fëmijës së tretë janë Shkupi (9562 fëmijë) dhe Pollogu (4291 fëmijë). Dallimi me vitin paraardhës është i madh, sidomos për rajonin e Shkupit ku numri i fëmijëve është më i madh se 1100. Një situatë e ngjashme është edhe në rajonin e Pollogut ku janë regjistruar 500 fëmijë më shumë. Nga masat e Qeverisë më së shumti kanë përfituar familjet shqiptare (rreth 10 mijë), të cilat kryesojnë listën e shfrytëzuesve të këtyre shtesave mujore, ndërsa pjesa tjetër janë maqedonas (mbi 6 mijë) dhe nga etnitë e tjera.

Masat ligjore dhe stimulimi financiar për të lindur fëmijën e tretë e të katërt nuk arritën gjatë këtyre dhjetë viteve të ndryshonte pasqyrën e natalitetit, përveç disa ndryshimeve të vogla në vitet e para të aplikimit. Për shembull, nëse në vitin 2010 mbi 5 mijë fëmijë përfitonin nga shtesa mujore, ky numër u katërfishua pas pesë vitesh. Në vitin 2015 numëroheshin 21 mijë fëmijë, ndërsa në vitin 2016 rreth 24 mijë fëmijë.

Pasqyrat statistikore japin një shpjegim të qartë se pse shtimi natyror i popullsisë ka ritëm të ngadaltë dhe procesi i plakjes është i pakthyeshëm. Numri i foshnjave në që lindin gjatë një viti në Maqedoni është i vogël, sidomos po të krahasohet me fillimin e viteve 1990 ku numëroheshin rreth 30 mijë të sapolindur, këto shifra janë reduktuar në maksimum viteve të fundit dhe mezi arrijnë deri në 20 mijë foshnje në vit.

Pavarësisht rritjes së numrit të familjeve që vendosin të kenë “fëmijën e tretë”, numri i lindjeve të fëmijës së parë apo të dytë vjen gjithnjë duke u reduktuar, e për rrjedhojë, edhe rritja natyrale e popullsisë ecën me ritëm të ngadaltë. Kjo është arsyeja që demografët i cilësojnë këto shifrat si zhgënjyese, ndërsa projektet e ndërmarra nga Qeveria për të stimuluar lindjet si të dështuara.

Nga ana tjetër, shtimi i pjesëtarëve të familjes nënkupton rritjen e varfërisë.

Sipas statistikave dhe indikatorëve të varfërisë në Maqedoni familjet me mbi pesë anëtarë jetojnë në varfëri. Për dallim nga ato të tjerat që numërojnë tre, apo katër anëtarë, që do të thotë se me rritjen e numrit të fëmijëve gjatë këtyre viteve për pjesën më të madhe të familjeve është thelluar hendeku i varfërisë. Për momentin stimulimi i natalitetit bëhet vetëm për fëmijën e tretë, në një vlerë prej mbi tetë mijë denarë dhe një kohëzgjatje prej dhjetë vitesh. Ndërsa për fëmijën e katërt përfitojnë vetëm ato që kanë lindur deri në fund të 2009.

.

Burimi i lajmit

REKLAMË

Na ndiqni në FACEBOOK

ARTIKUJT MË TË LEXUAR

Facebook Auto Publish Powered By : XYZScripts.com